BE KËRKON FORMIMIN E SHPEJTË TË INSTITUCIONEVE NË KOSOVË

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se funksionimi i tyre është i domosdoshëm për zbatimin e reformave dhe për përfitimin e fondeve evropiane.

Schuebel tha se Kosova ndodhet përpara një mundësie të rëndësishme për të përfituar nga Plani i Rritjes së BE-së dhe fondet IPA, por për këtë nevojiten institucione funksionale dhe përkushtim politik ndaj reformave dhe integrimit evropian.

Thirrja vjen në një kohë kur Kosova po përballet me krizë institucionale, për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e presidentit, formimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit.

Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke vënë në pikëpyetje zgjedhjen e tij.

Schuebel theksoi gjithashtu mbështetjen e BE-së për integrimin evropian të Kosovës dhe dialogun Prishtinë–Beograd, ndërsa vlerësoi edhe përafrimin e Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

SHARE