NGA SOT, DEKLARATAT DOGANORE VETËM NË MËNYRË ELEKTRONIKE

Foto: Administrata Doganore / Uprava carina

Nga sot, në Mal të Zi hyn në fuqi zbatimi i plotë i procedurave doganore pa dokumente në letër.

Deklaratat doganore dhe dokumentacioni shoqërues do të dorëzohen vetëm në mënyrë elektronike, përmes sistemit të ri informativ doganor.

Komunikimi mes bizneseve dhe Administratës Doganore do të zhvillohet ekskluzivisht në format elektronik, ndërsa i gjithë procesi, nga dorëzimi dhe kontrolli i deklaratave deri te lirimi i mallrave, do të digjitalizohet.

Sipas Administratës Doganore, reforma synon të shpejtojë procedurat, të ulë kostot për bizneset dhe të lehtësojë tregtinë ndërkombëtare. Bizneset nuk do të kenë më nevojë të kopjojnë apo të dorëzojnë fizikisht dokumentet dhe as të paraqiten në zyrat doganore për dorëzimin ose marrjen e tyre.

Drejtuesja e Administratës Doganore, Jellena Gjukiq, e ka cilësuar kalimin në sistemin pa letër si një hap të rëndësishëm në modernizimin e administratës dhe përafrimin e Malit të Zi me standardet e Bashkimit Evropian.

SHARE