11 SHTETE TË BE-së KËRKOJNË HEQJEN E VETOS NË POLITIKËN E JASHTME

Austria, Danimarka, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Rumania, Spanja dhe Suedia i kanë kërkuar shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të shqyrtojë mundësinë e kalimit nga vendimmarrja me unanimitet në votimin me shumicë të kualifikuar për çështjet e politikës së jashtme, përfshirë edhe zgjerimin e BE-së.

Në një letër të përbashkët drejtuar Kallas, 11 vendet bëjnë thirrje për konsultime “kuptimplota” me qëllim adresimin e mosmarrëveshjeve të mundshme dhe arritjen e një kompromisi.

Sipas rregullave aktuale të BE-së, vendimet në fushën e politikës së jashtme kërkojnë unanimitet.

Kjo i jep mundësi një shteti të vetëm anëtar të bllokojë një vendim të mbështetur nga 26 vendet e tjera.

Çështja e vetos është rikthyer në qendër të debatit pas rasteve të shumta të bllokimit të vendimeve evropiane, përfshirë proceset e zgjerimit.

Shtetet më të vogla anëtare, megjithatë, e konsiderojnë veton një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të tyre përballë peshës së shteteve më të mëdha.

Në letrën drejtuar Kallas nuk kanë marrë pjesë asnjë nga shtetet baltike.

Ndryshimi i rregullit për heqjen e vetos do të kërkonte gjithashtu unanimitet nga të gjitha vendet anëtare.

Ndërkohë, Gjermania dhe Franca kanë propozuar një plan për forcimin e rolit të Kaja Kallas, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, duke parashikuar që ajo të jetë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Debati për reformimin e mënyrës së vendimmarrjes në BE pritet të intensifikohet në kuadër të sfidave të reja gjeopolitike dhe zgjerimit të ardhshëm të unionit.

SHARE