Foto: Drejtoria e Policisë / Uprava policije
Policia e Malit të Zi do të zhvillojë kontrolle të shtuara në komunikacion gjatë fundjavës, nga 28 deri më 30 gusht, ndërsa në planin e kontrolleve është përfshirë edhe territori i Komunës së Tuzit.
Sipas njoftimit të Policisë, në zonën e Tuzit dhe Zetës do të ketë kontrolle të intensifikuara në rrugët magjistrale dhe rajonale drejt Podgoricës.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet tejkalimit të shpejtësisë së lejuar, drejtimit të automjeteve nën ndikimin e alkoolit dhe substancave psikoaktive, si dhe shkeljeve të tjera që rrezikojnë sigurinë në komunikacion.
Kontrollet janë pjesë e aksionit të shtuar policor që do të zhvillohet gjatë fundjavës në rrugët më të frekuentuara në të gjithë Malin e Zi.










