MINISTRI HOXHA: SHQIPËRIA NUK ËSHTË DHE NUK MUND TË JETË PJESË E SKENARËVE DESTABILIZUES NË MALIN E ZI

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, lidhur me pretendimet për përfshirjen e zyrtarëve nga të paktën dy vende të rajonit në veprimtari të koordinuara hibride.

Hoxha thekson se ndaj Shqipërisë nuk është bërë asnjë akuzë zyrtare, ndërsa shprehet qartë se Tirana nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues në Malin e Zi.

“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, shkruan Hoxha në rrjetin social X.

Ministri u ka bërë thirrje gjithashtu palëve që deklaratat politike dhe interpretimet mediatike të trajtohen me rezervën e nevojshme, duke paralajmëruar se hamendësimet nuk duhet të krijojnë probleme artificiale mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Sipas Hoxhës, Shqipëria ndjek të kundërtën e një politike destabilizuese, duke investuar në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik.

Ai bëri të ditur se Tirana është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet malazeze dhe se për këtë çështje ka komunikuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, si dhe me zëvendëskryeministrin për Politikë Ekonomike Nik Gjeloshaj.

Hoxha u bëri thirrje aktorëve të ndryshëm, përfshirë ata politikë, që të marrin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debatet e panevojshme dhe për të mos lejuar që politika e jashtme e vendit të kthehet në objekt apo instrument të debateve të brendshme partiake.

“Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, përfundon ministri Hoxha.

SHARE