Bashkimi Evropian i ka kërkuar kompanisë Meta të vendosë edhe në Evropë masa më të forta për kufizimin e përdorimit të Facebook-ut dhe Instagram-it nga adoleshentët, me synim mbrojtjen e të miturve nga varësia ndaj rrjeteve sociale.
Kërkesa e Brukselit vjen pasi Meta ka pranuar të zbatojë masa të paprecedenta në disa shtete të SHBA-së për të kufizuar përdorimin e platformave nga të rinjtë.
Komisioni Evropian ka konstatuar se Meta ka shkelur Aktin për Shërbimet Digjitale dhe i ka kërkuar kompanisë të ndërmarrë ndryshime për t’i bërë platformat më të sigurta për fëmijët.
“Topi është në fushën e Meta-s”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, duke kërkuar që kompania të ofrojë në Evropë të paktën të njëjtin nivel mbrojtjeje për të miturit si në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Brukselit, ndër shqetësimet kryesore janë lëvizja e pafundme në ekran, videot që nisin automatikisht dhe përmbajtjet e personalizuara, të cilat mund të nxisin përdorimin e tepruar dhe varësinë nga platformat.
BE-ja kërkon gjithashtu mjete më të forta për menaxhimin e kohës para ekranit dhe kontroll më efektiv prindëror mbi përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.
Në Shtetet e Bashkuara, Meta ka pranuar masa që përfshijnë bllokimin automatik të platformave gjatë natës dhe kufizimin e përdorimit në dy orë në ditë për adoleshentët.
Kompania gjithashtu ka rënë dakord të paguajë deri në 16.7 miliardë dollarë.
Brukseli paralajmëron se nëse Meta nuk adreson shqetësimet e ngritura nga autoritetet evropiane, kompania mund të përballet me gjobë deri në 6 për qind të xhiros së saj vjetore globale.









