Tensionet janë përshkallëzuar në Ceuta, territorin spanjoll në Afrikën e Veriut, ku protestuesit kanë djegur kampet e improvizuara ku qëndrojnë emigrantë, pas një sërë incidentesh dhe shkeljesh të kufirit.
Pamjet tregojnë flakët që përfshijnë tendat e kampit dhe re të mëdha tymi, ndërsa banorët vendas, disa prej tyre duke valëvitur flamujt spanjollë, u përleshën me policinë që ruante zonën.
Disa prej tyre shkatërruan çadrat e improvizuara, ndërsa dëshmitarët thanë se disa emigrantë reaguan duke hedhur gurë ndaj protestuesve.
Situata u tensionua më tej të enjten, kur një grup prej rreth 70 emigrantësh sulmoi një automjet ushtarak.
Një ushtar që ndodhej brenda kamionit mbeti i plagosur, ndërsa policia arrestoi 12 shtetas marokenë të dyshuar për sulmin. Banorët vendas akuzojnë qeverinë spanjolle për mungesë veprimi dhe kërkojnë largimin e emigrantëve nga zonat ku janë vendosur.
Përplasjet me policinë janë shtuar ditët e fundit. Të enjten, dhjetëra persona protestuan për të penguar shpërndarjen e pakove ushqimore të Kryqit të Kuq për emigrantët, ndërsa një ditë më parë policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit pranë kampeve.
Roja Civile spanjolle ka forcuar kontrollet kufitare, por mbërritja e emigrantëve me varka nga Maroku vijon. Kriza është përshkallëzuar pas një vale të madhe kalimesh të paligjshme muajin e kaluar, e nxitur edhe nga lajme të rreme që qarkulluan në rrjetet sociale.
Mijëra persona tentuan të kalonin nga Maroku drejt Ceutës, ndërsa sipas zyrtarëve, më shumë se 140 persona humbën jetën gjatë përpjekjeve.
Dhjetëra mijëra emigrantë u kthyen në Marok, ndërsa ata që mbetën në territorin spanjoll kanë shkaktuar zemërim të madh tek një pjesë e banorëve vendas.
Incidentet e raportuara kanë përfshirë dëmtime të pronës private dhe ndërtesave, ndërsa autoritetet spanjolle kanë dërguar forca shtesë për të përballuar situatën.









