Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka deklaruar se institucionet kanë informacione operative të sigurisë se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve të rinj të negociatave me Bashkimin Evropian mund të shoqërohet me veprime të koordinuara hibride, në të cilat, sipas tij, janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.
“Ne kemi informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve të rinj të negociatave do të shoqërohet me veprim hibrid të koordinuar, në të cilin janë përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit”, shkroi Spajiq në rrjetin social X.
Sipas tij, qëllimi i këtyre aktiviteteve është destabilizimi i Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të aktorëve të caktuar politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vend.
Spajiq tha se institucionet janë në dijeni të këtyre synimeve dhe se përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin e vendit.
“Përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin tonë dhe as nuk do ta ndalin rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila është më e madhe se interesi i përditshëm i çdo strukture politike”, deklaroi kryeministri.










