Foto: Ilustrim
Mali i Zi ka regjistruar 1.62 milion turistë gjatë shtatë muajve të parë të vitit, që paraqet një rritje prej 7.78 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftoi Ministria e Turizmit.
Sipas të dhënave të MONSTAT-it, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 8.86 milion net qëndrimi, ose 7.98 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Vetëm gjatë muajit korrik, Malin e Zi e kanë vizituar 623.1 mijë turistë, 11.26 për qind më shumë se në korrikun e vitit të kaluar, ndërsa janë regjistruar 3.72 milion net qëndrimi, me rritje prej 10.13 për qind. Rritje e veçantë është shënuar te turistët e huaj.
Në korrik janë regjistruar 600.85 mijë ardhje të turistëve të huaj, 11.94 për qind më shumë, ndërsa ata kanë realizuar 3.61 milion net qëndrimi, ose 10.59 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministria e Turizmit vlerëson se rezultatet konfirmojnë një sezon rekord dhe forcimin e pozitës së Malit të Zi në tregun ndërkombëtar të turizmit. Ministria thekson gjithashtu se vendi është gjithnjë e më mirë i lidhur me destinacionet kryesore evropiane përmes linjave ajrore dhe se rritja e numrit të turistëve krijon hapësirë për zhvillim të mëtejshëm të sektorit.










