COSTA: BE-ja DUHET TË RRISË INVESTIMET NË MBROJTJE DHE SIGURI

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë thirrje për rritjen e investimeve të Bashkimit Evropian në mbrojtje, siguri dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike, duke vlerësuar se situata e re gjeopolitike kërkon prioritete të reja për bllokun.

Pas takimit me kryeministrin e Republikës Çeke, Andrej Babis, në Pragë, Costa deklaroi se negociatat për buxhetin e ardhshëm të BE-së për periudhën 2028-2034 po hyjnë në një fazë vendimtare.

Sipas tij, rrethanat ndërkombëtare kanë ndryshuar ndjeshëm që nga miratimi i buxhetit aktual në vitin 2020, ndaj Bashkimi Evropian duhet të fokusohet më shumë në mbrojtje dhe siguri, konkurrueshmëri, inovacion dhe rritjen e qëndrueshmërisë strategjike.

Costa theksoi se buxheti i ri duhet të modernizohet dhe të përshtatet me prioritetet e reja të BE-së, pa cenuar mbështetjen për shtetet anëtare, politikën e kohezionit dhe sektorin e bujqësisë.

Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin deri në fund të vitit, duke paralajmëruar se nuk duhet të ketë ndërprerje të financimit për projektet dhe politikat e rëndësishme evropiane në vitin 2028.

Ndër të tjera, presidenti i Këshillit Evropian kërkoi përshpejtimin e masave për uljen e kostove të energjisë, duke vijuar njëkohësisht tranzicionin e gjelbër dhe procesin e dekarbonizimit.

Sipas tij, ky proces duhet të mbështetet si te energjia bërthamore, ashtu edhe te burimet e rinovueshme.

Costa shtoi se mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit evropian përbën një investim të rëndësishëm për sigurinë dhe prosperitetin e vetë Evropës.

SHARE