DUKAJ: LIGJI I RI SYNON REFORMIMIN E VETËQEVERISJES LOKALE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deklaroi se Projektligji për vetëqeverisjen lokale është hartuar gjatë katër viteve në një proces gjithëpërfshirës dhe është harmonizuar me institucionet përkatëse.

Projektligji, i cili po shqyrtohet në Kuvendin e Malit të Zi, synon përmirësimin e funksionimit të pushtetit lokal, përfshirjen e mekanizmave të rinj për zhbllokimin e punës së kuvendeve komunale, forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe transformimin digjital të administratave lokale.

Gjatë debatit parlamentar u ngritën shqetësime për rrezikun e centralizimit të tepruar dhe ndërhyrjes së pushtetit qendror në autonominë e komunave.

Gjithashtu, u theksua nevoja për të garantuar që komunat më të vogla dhe më pak të zhvilluara të kenë kapacitete të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për zbatimin e reformave të reja.

Projektligji parashikon edhe përmirësimin e funksionimit të bashkësive lokale dhe krijimin e kushteve për shfrytëzimin e fondeve evropiane nga administratat lokale, me synim rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët në nivel vendor.

SHARE