Foto: KE
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, i ka bërë thirrje Kroacisë që të zgjidhë çështjet e mbetura dypalëshe me Malin e Zi përpara anëtarësimit të këtij vendi në Bashkimin Evropian.
Duke folur në Zagreb, Kos theksoi se Kroacia, së bashku me Slloveninë, ka përgjegjësi të veçantë për mbështetjen e integrimit evropian të Evropës Juglindore.
Ajo tha se pret që në marrëdhëniet me Malin e Zi të mbizotërojë fryma e mbështetjes për zgjerimin dhe procesin e bazuar në meritat e vendeve kandidate.
Kos vlerësoi se Mali i Zi aktualisht kryeson në procesin e negociatave me BE-në, pasi ka mbyllur më shumë se gjysmën e kapitujve negociues, ndërsa vendet anëtare kanë nisur përgatitjet për traktatin e tij të anëtarësimit.
“Pres që kjo frymë të mbizotërojë ndërsa punoni me Malin e Zi për zgjidhjen e çështjeve të mbetura dypalëshe para anëtarësimit të tij. Mund të llogarisni në mbështetjen time të fortë personale në këto përpjekje”, deklaroi Kos.
Ajo theksoi se zgjerimi i BE-së duhet të shoqërohet me reforma të brendshme të Unionit, mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe mekanizma që do të garantojnë se anëtarët e rinj kontribuojnë në forcimin politik, ekonomik dhe të sigurisë të BE-së.










