SISTEMI I RI I RADARËVE DO TË REGJISTROJË AUTOMATIKISHT SHKELJET E SHPEJTËSISË

Foto: Drejtoria e Policisë / Uprava policije

Policia e Malit të Zi ka nisur zbatimin e sistemeve të reja moderne radarike “TrueCam 2”, të cilat do të përdoren për kontrollin e shpejtësisë në rrugë të ndryshme në të gjithë vendin.

Sistemi mat automatikisht shpejtësinë e automjeteve, regjistron tejkalimet e kufirit të lejuar, fotografon dhe filmon shkeljen, si dhe evidenton targën, markën, tipin dhe shpejtësinë e automjetit.

Pajisjet mund të funksionojnë pa praninë fizike të policisë pranë radarit, ndërsa të dhënat u dërgohen menjëherë në mënyrë elektronike zyrtarëve kompetentë.

Policia paralajmëron se drejtuesit nuk do të mund ta shmangin evidentimin e shkeljes pasi të kenë tejkaluar shpejtësinë e lejuar.

Nëse pronari i automjetit nuk ka qenë në drejtim të mjetit në momentin e shkeljes, ai duhet që brenda tetë ditësh të njoftojë policinë për identitetin e personit që drejtonte automjetin.

Nga policia theksojnë se qëllimi kryesor i sistemit të ri nuk është vetëm ndëshkimi i shkeljeve, por parandalimi i aksidenteve, ulja e numrit të aksidenteve me pasoja të rënda dhe rritja e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

SHARE