Për maturantët, gara për një vend në universitet në Shqipëri ka hyrë tashmë në fazën vendimtare. Këtë të mërkurë kanë nisur regjistrimet në institucionet e arsimit të lartë, ndërsa kandidatët e shpallur fitues kanë në dispozicion shtatë faza, me nga 48 orë secila, për të kryer regjistrimin.
Mjekësia e Përgjithshme vijon të jetë ndër programet më të kërkuara nga maturantët.
Për ata që janë shpallur fitues, regjistrimi është kurorëzimi i një periudhe të gjatë përgatitjesh dhe pune.
“Për këtë degë kam tre vjet që punoj për t’u regjistruar në Mjekësi, Stomatologji, nëse do të më dilte, dhe Inxhinieri Kimike”, shprehet një prej maturantëve.
Për një tjetër maturante, zgjedhja ishte mes Mjekësisë dhe Inxhinierisë së Ndërtimit, por në fund vendosi të ndiqte ëndrrën për t’u bërë mjeke.
“Kam pëlqyer shumë edhe Inxhinierinë e Ndërtimit. Mes këtyre dy degëve isha, megjithatë zgjodha Mjekësinë, se ishte ëndrra ime”, tregon ajo.
Emocionet janë të forta edhe për maturantët që kanë arritur rezultatet e dëshiruara pas një viti të gjatë përgatitjesh.
“Rezultatet i kisha shumë të larta. Ndihem shumë krenare për punën, që më në fund m’u shpërblye”, shprehet një tjetër maturante, ndërsa një tjetër thotë: “Isha e emocionuar, normalisht, por edhe shumë krenare, sepse puna u shpërblye”.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, bëri të ditur se vetëm në orët e para të nisjes së procesit janë regjistruar mbi 3 mijë maturantë.
“Me fillimin e procesit të regjistrimeve, kemi mbi 3.000 maturantë të regjistruar. Kjo bën të fillojë edhe lirimi i vendeve të studimit për të tjerët”, tha Xhelaj.
Për kandidatët që ende nuk e shohin emrin e tyre mes fituesve, Xhelaj këshillon që të mos nxitojnë në zgjedhjen e programit të studimit.
Sipas tij, çdo regjistrim i kryer nga një kandidat mund të sjellë lirimin e një preference tjetër dhe, rrjedhimisht, të krijojë mundësi për maturantët që ndodhen më poshtë në renditje.
“Duhet të bëjnë kujdes, të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të mos nxitohen për t’u regjistruar në degën e parë që del fitues. Të shikojnë garën, të shikojnë shanset që u krijohen për të fituar një program studimi”, këshilloi Xhelaj.
Ai shtoi se pas përfundimit të fazës së parë pritet të lirohen një numër i konsiderueshëm vendesh studimi, pasi shumë maturantë janë shpallur fitues në disa programe njëkohësisht dhe do të regjistrohen vetëm në një prej tyre.
Raundi i parë i regjistrimeve zhvillohet në shtatë faza, me nga 48 orë secila.
Pas përfundimit të çdo faze, në portalin U-Albania përditësohet renditja e kandidatëve dhe zhvendoset vija e kuqe që ndan fituesit nga ata që vijojnë të jenë në pritje.
Procesi pritet të jetë vendimtar për mijëra maturantë, ndërsa zgjedhjet dhe regjistrimet e kandidatëve në ditët në vijim do të përcaktojnë lëvizjen e renditjeve dhe mundësitë për ata që ende synojnë një vend në programin e preferuar.









