LVV GATI EMRAT PËR PRESIDENT, KONJUFCA: KURTI DHE ABDIXHIKU TAKOHEN KËTË JAVË PËR EMRAT KONKRETË

Lëvizja Vetëvendosje i ka gati emrat e kandidatëve për president që do t’i propozojë në takimin e ardhshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Nënkryetari i partisë fituese të zgjedhjeve, Glauk Konjufca njoftoi se gjatë kësaj jave do të ketë takim mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.

“Lëvizja Vetëvendsoje unë po them që është gati, kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi por nuk mund t’i ndaj këtu me juve, më vjen keq sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin në procesin e negocimit”, u shpreh Glauk Konjufca, nënkryetar i LVV-së.

Konjufca u shpreh optimist se Vetëvendosje dhe LDK-ja do të arrijnë marrëveshje për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

“Do të takohen përmes propozimit të emrave konkret dhe prej atyre emrave konkret unë besoj që njëri prej tyre do të jetë presidenti ose presidentja e ardhshme e Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

Pas dështimit të negociatave për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, Lidhja Demokratike e Kosovës është zotuar të ndihmojë në zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Një javë më parë u mbajt takimi i fundit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, e u tha se në takimin e radhës do të flasin për emra konkret.

SHARE