
Foto: Ilustrim
Situata në zonat e përfshira nga zjarret në Mal të Zi është aktualisht stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga shërbimet kompetente, bëri të ditur drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Situata të Jashtëzakonshme, Miodrag Beshoviq.
Sipas tij, zjarre aktive janë evidentuar në territorin e Herceg Novit, Danillovgradit, Kollashinit, Nikshiqit dhe Podgoricës, ndërsa zjarri në territorin e Cetinës është vënë nën kontroll.
Për shuarjen e zjarreve është kërkuar ndihmë nga ajri në disa zona, ndërsa gjatë ditës mund të kërkohet angazhimi i mjeteve ajrore edhe në lokacione të tjera, në varësi të intensitetit të zjarreve, drejtimit të përhapjes dhe terrenit.
Qendra Operative-Koordinuese 112 e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me shërbimet e mbrojtjes dhe shpëtimit dhe institucionet e tjera kompetente, po ndërmerr masa për mbrojtjen e jetës dhe pronës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarreve.









