ÇAPUNI: TË DREJTAT E PAKICAVE NUK JANË KUOTË POLITIKE, POR DETYRIM LIGJOR

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Deputeti në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Çapuni, ka reaguar lidhur me emërimin e drejtoreshës së Shkollës së Mesme të Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, duke e cilësuar këtë veprim si vazhdim të një politike shqetësuese kadrovike ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.

Çapuni e cilëson këtë emërim si vazhdim të një politike kadrovike shqetësuese të Qeverisë së Malit të Zi në Ulqin, duke e lidhur atë edhe me emërimet e fundit në pozita drejtuese në polici, prokurori dhe Drejtorinë për Patundshmëri.

Sipas deputetit, pozita e drejtorit të shkollës nuk duhet të trajtohet si çështje e kuotave politike apo kombëtare, por si një përgjegjësi që duhet të bazohet në profesionalizëm, kompetenca dhe rezultate, përmes një procedure të ligjshme.

“Profesionalizmi dhe respektimi i të drejtave të pakicave nuk janë kritere të kundërta, të dyja përfaqësojnë detyrim ligjor”, thekson Çapuni.

Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për njohjen e gjuhës shqipe nga kandidatja e emëruar, e cila, sipas biografisë, e zotëron atë në nivelin B2.

Çapuni kërkon sqarime se mbi çfarë dokumentacioni është përcaktuar njohja aktive e gjuhës dhe shkrimit shqip, si dhe nëse dhe në çfarë mënyre është marrë në konsideratë mendimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.

Deputeti shpreh shqetësim se gjatë zgjedhjeve të fundit të drejtuesve të institucioneve arsimore në Ulqin dhe në zona të tjera ku jetojnë shqiptarë, mendimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar nuk është marrë, sipas tij, në mënyrë përmbajtësore.

Për këtë arsye, Çapuni kërkon publikimin e dokumentacionit të plotë që lidhet me përmbushjen e kushteve të përcaktuara në nenin 18 të Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave, si dhe të mendimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe arsyetimit se si është shqyrtuar ai.

Në reagimin e tij, deputeti thekson se të drejtat e pakicave nuk janë privilegj apo kuotë politike, por detyrim kushtetues dhe ligjor i shtetit.

“Multietniciteti nuk mbrohet vetëm me fjalë dhe me thirrje të përgjithshme për barazi, por me zbatim dinjitoz të ligjit dhe me pjesëmarrje reale të pakicave në marrjen e vendimeve që lidhen drejtpërdrejt me gjuhën, arsimin dhe identitetin e tyre”, shprehet Çapuni.

SHARE