KOMITETI KUSHTETUES MIRATON AMENDAMENTET PËR DREJTËSINË

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Komiteti Kushtetues i Kuvendit të Malit të Zi ka miratuar amendamentet 17 deri në 21 të Kushtetutës, të cilat lidhen me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe Bankën Qendrore të Malit të Zi.

Gjithashtu, u miratua edhe ligji kushtetues për zbatimin e këtyre ndryshimeve.

Gjatë mbledhjes nuk u pranuan propozimet e paraqitura gjatë debatit publik nga organizata, ekspertë juridikë, studentë dhe deputetë.

Kryetarja e Komitetit, Jellena Bozhoviq, tha se ndryshimet janë të rëndësishme për përmbushjen e detyrimeve të Malit të Zi në procesin e integrimit evropian dhe se synohet miratimi i tyre në Kuvend deri më 24 gusht.

Amendamentet parashikojnë ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor e Prokurorial, duke kërkuar shumica të cilësuara në Kuvend.

Këshilli Gjyqësor do të ketë nëntë anëtarë dhe kryetarin, ndërsa Këshilli Prokurorial dhjetë anëtarë dhe kryetarin, me përfaqësim të gjyqtarëve, prokurorëve, juristëve dhe institucioneve përkatëse. Mandati i këtyre këshillave do të jetë katër vjet.

Një nga amendamentet përcakton gjithashtu se Banka Qendrore e Malit të Zi do të jetë organizatë e pavarur dhe autonome, e cila do t’i raportojë Kuvendit për punën e saj dhe do të drejtohet nga Këshilli i Bankës Qendrore dhe guvernatori.

Sipas Komitetit, ndryshimet janë të harmonizuara me Komisionin Evropian dhe lidhen me përmbushjen e detyrimeve në kapitujt 23 dhe 17 të negociatave me BE-në.

SHARE