Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar më shumë mbështetje për gjuhën shqipe në hapësirat digjitale dhe në zhvillimin teknologjik.
Ajo i bëri këto deklarata në hapjen e Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Haxhiu tha se shqipja ka qenë historikisht një nga shtyllat kryesore të vazhdimësisë kulturore dhe politike të shqiptarëve, veçanërisht në periudhat kur mungonin institucionet e tyre. Sipas saj, sot sfidat për gjuhën nuk shfaqen vetëm përmes kufizimeve ligjore, por edhe përmes pabarazive në teknologji dhe në sasinë e përmbajtjes digjitale.
Ajo theksoi se gjuhët me më shumë materiale të digjitalizuara dhe mbështetje më të madhe teknologjike kanë avantazh në hapësirat ku prodhohet dhe qarkullon dija. Për këtë arsye, Haxhiu paralajmëroi se shqipja nuk duhet të mbetet jashtë zhvillimeve të reja teknologjike dhe mjeteve të inteligjencës artificiale.
“Shqipja nuk mund të mbetet gjuhë e së kaluarës në një botë që po ndërton të ardhmen me algoritme”, tha Haxhiu.
Duke folur për Seminarin, ajo vlerësoi kontributin e tij më shumë se pesëdhjetëvjeçar në studimin, dokumentimin dhe promovimin e gjuhës e letërsisë shqipe.
Ajo përmendi edhe kontributin e akademikut Idriz Ajeti dhe albanologut Robert Elsie në studimin dhe përhapjen e shqipes përtej hapësirave ku ajo flitet.
Haxhiu tha se zhvillimi i teknologjisë dhe komunikimit digjital ka ndryshuar edhe mënyrën se si njerëzit lidhen me gjuhën dhe kulturën, duke e bërë më pak të rëndësishme ndarjen tradicionale mes gjuhës dhe territorit.
Sipas saj, kontakti i shtuar me gjuhë të tjera mund ta pasurojë shqipen, por ekziston edhe rreziku që përdorimi i saj të ngushtohet në fusha ku dija dhe teknologjia zhvillohen kryesisht në gjuhë të tjera.
Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e studiuesve, përkthyesve dhe institucioneve akademike në ruajtjen dhe zhvillimin e shqipes, duke theksuar nevojën për më shumë punë në kërkim shkencor, digjitalizim, botim, përkthim dhe krijimin e mjeteve të reja teknologjike për gjuhën shqipe.
Haxhiu tha se institucionet publike duhet të mbështesin këto procese, në mënyrë që shqipja të ketë një prani të barabartë dhe të qëndrueshme në hapësirat ku po zhvillohet dija dhe komunikimi i së ardhmes.








