Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme t’u ofrojë mbështetje Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat po përballen me zjarre në zona të ndryshme.
Maqedonci tha se u ka përcjellë homologëve të tij, ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për të ofruar mbështetje me kapacitetet që ka në dispozicion.
“Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetje të autoriteteve përkatëse, nëse një ndihmë e tillë vlerësohet e nevojshme, duke vënë në dispozicion kapacitetet tona për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se në situata të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi kanë rëndësi të veçantë.
“Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të Republikës mbeten të gatshme të ofrojnë mbështetje dhe të kontribuojnë aty ku kapacitetet tona mund të jenë të dobishme”, ka thënë Maqedonci.









