SHBA DHE BE PËRPLASEN PËR NDIKIM NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës po shtrihen edhe në Ballkanin Perëndimor, ku dy fuqitë perëndimore po ndjekin qasje gjithnjë e më të ndryshme për ndikimin politik, sigurinë dhe investimet. Sipas një analize të Deutsche Welle, kjo garë mund të sjellë rreziqe të reja për rajonin, por edhe mundësi për investime të mëtejshme.

Ndryshe nga vitet ’90, kur SHBA-ja dhe Europa bashkëpunuan ngushtë për stabilizimin dhe rindërtimin e Ballkanit pas luftërave në ish-Jugosllavi, sot interesat dhe prioritetet e tyre në rajon po dallojnë gjithnjë e më shumë.

Nën administratën e Donald Trump, Uashingtoni po i kushton më shumë rëndësi çështjeve të sigurisë, energjisë dhe interesave ekonomike, ndërsa demokracia dhe forcimi i institucioneve nuk janë më në qendër të politikës amerikane në të njëjtën masë.

Bosnja dhe Hercegovina është një nga shembujt më të qartë të kësaj përplasjeje.

Administrata amerikane kërkon kufizimin e kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, ndërsa Bashkimi Europian vazhdon ta mbështesë këtë mekanizëm, duke e konsideruar të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në vend. Gara për ndikim po shtrihet edhe në sektorin e energjisë dhe ekonomisë. SHBA-ja synon ta rrisë praninë e saj përmes projekteve energjetike dhe furnizimit me gaz natyror të lëngshëm, ndërsa BE-ja mbetet investitori më i madh në Ballkanin Perëndimor.

Një tjetër sfidë për Bashkimin Europian është procesi i zgjerimit. Që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013, asnjë vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk është bërë pjesë e BE-së. Kjo ka ndikuar në perceptimin për seriozitetin e procesit të zgjerimit dhe ka dobësuar besueshmërinë e perspektivës europiane.

Ekspertët paralajmërojnë se dallimet në qasjet e SHBA-së dhe BE-së mund t’u krijojnë më shumë hapësirë aktorëve nacionalistë dhe të rrisin rrezikun e destabilizimit në një rajon me një histori të brishtë politike. Megjithatë, gara për ndikim mund të sjellë edhe përfitime për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rritja e investimeve amerikane dhe europiane mund të nxisë projekte të reja në energji, infrastrukturë dhe ekonomi, ndërsa shtimi i pranisë amerikane mund ta shtyjë BE-në të përshpejtojë angazhimin dhe integrimin e rajonit.

SHARE