META GJOBITET ME 567 MILIONË DOLLARË PËR RREZIQET E PLATFORMAVE NDAJ FËMIJËVE

Meta, është urdhëruar të paguajë 567 milionë dollarë për dështimin në paralajmërimin e publikut mbi rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.

Vendimi i Gjykatës së Qarkut në Nju Meksiko konsiderohet masa më e rëndë financiare e shqiptuar ndonjëherë ndaj kompanisë për çështje që lidhen me sigurinë e të miturve.

Kjo gjobë i shtohet një mase të mëparshme prej 375 milionë dollarësh, duke e çuar detyrimin e përgjithshëm financiar të Metës në 942 milionë dollarë.

Në arsyetimin e vendimit, gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi Metën si një “rrezik publik”, duke vlerësuar se algoritmet e saj i ekspozonin përdoruesit e rinj ndaj përmbajtjeve dhe kontakteve të dëmshme.

Ai krahasoi ndikimin e platformave të kompanisë mbi fëmijët me ndotjen që shkakton një fabrikë, duke theksuar se dëmet psikologjike dhe shfrytëzimi i të miturve kërkojnë masa të forta ligjore.

Gjykata urdhëroi që fondet të përdoren për trajtimin dhe parandalimin e dëmeve të shkaktuara.

Nga shuma totale, rreth 420 milionë dollarë do të dedikohen për programe të shëndetit mendor dhe mbështetjen e fëmijëve të prekur.

Përveç gjobës, vendimi parashikon edhe kufizime të reja për përdorimin e Facebook-ut dhe Instagram-it nga të miturit.

Meta duhet të kufizojë kontaktet mes të miturve dhe të rriturve, të heqë shfaqjen e numrit të pëlqimeve për përdoruesit nën moshën 18 vjeç, të ndalojë dërgimin e njoftimeve gjatë natës dhe orarit të mësimit, si dhe të vendosë një kufi prej rreth tri orësh në ditë për përdorimin e këtyre platformave nga të miturit.

Meta e ka kundërshtuar vendimin, duke njoftuar se do ta apelojë atë.

Kompania theksoi se vazhdon të investojë në masa dhe teknologji për rritjen e sigurisë së adoleshentëve dhe mbrojtjen e tyre gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.

SHARE