Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Përfaqësues të diasporës, institucioneve shtetërore dhe ekspertë kanë vlerësuar se projektligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për regjistrin e vendbanimit dhe vendqëndrimit cenon të drejtat e fituara të qytetarëve të Malit të Zi që jetojnë jashtë vendit.
Në panelin “Diaspora dhe Mali i Zi – dialog i hapur”, të mbajtur në Guci në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës 2026”, ministri i Diasporës, Mirsad Azemoviq, tha se ministria e tij e kupton shqetësimin e diasporës dhe paralajmëroi se nga shtatori, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, mund të organizohen vizita në vendet ku jeton numri më i madh i mërgimtarëve për të shpjeguar zgjidhjet e propozuara dhe për të dëgjuar qëndrimet e tyre.
Ai shtoi se, nëse projektligji i pandryshuar procedohet në Kuvend, do të përdorë mekanizmat politikë që ka në dispozicion për të mos lejuar miratimin e tij.
Kryetari i Këshillit për Bashkëpunim me Diasporën, Villdan Ramusoviq, deklaroi se projektligji synon drejtpërdrejt diasporën dhe mund të ndikojë në ushtrimin e një sërë të drejtash të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas tij, regjistri i vendbanimit nuk është vetëm çështje administrative, por lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e shtetasve në vendlindje.
Ekspertët juridikë të pranishëm vlerësuan se disa dispozita të projektligjit nuk janë të qarta dhe se procesi i hartimit të tij duhej të përfshinte më shumë përfaqësues të diasporës, ekspertë dhe sektorin joqeveritar.
Ata paralajmëruan se fshirja administrative nga regjistri i vendbanimit, pa procedurë administrative, mund të ngrejë çështje serioze kushtetuese dhe të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.
Pjesëmarrësit u pajtuan se regjistrat e vendbanimit duhet të jenë të përditësuar dhe të besueshëm, por theksuan se kjo nuk duhet të bëhet në dëm të të drejtave të fituara dhe të drejtave themelore të qytetarëve, duke kërkuar vazhdimin e dialogut të gjerë shoqëror për përmirësimin e kuadrit ligjor.










