Foto: Conciliation Resources EU
Miratimi i ligjeve reformuese është një sinjal pozitiv për Bashkimin Evropian, por nuk mjafton që Mali i Zi të mbyllë deri në fund të vitit kapitujt 23 dhe 24 të negociatave.
Analistët vlerësojnë se Brukseli do të kërkojë rezultate konkrete në zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Analisti politik Aleksandar Qukoviq theksoi se ndryshimet ligjore, përfshirë ato për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, tregojnë vullnet politik, por testi kryesor mbetet zbatimi i tyre në praktikë dhe rezultatet e matshme.
Në të njëjtën linjë, drejtoresha ekzekutive e CEDEM-it, Nevenka Vuksanoviq, tha se bashkëpunimi mes pushtetit dhe opozitës, i nxitur edhe nga presioni i Bashkimit Evropian, ka përshpejtuar procesin e reformave.
Megjithatë, ajo theksoi se mbyllja e kapitujve 23 dhe 24 deri në fund të vitit mbetet e pasigurt, pasi Brukseli nuk vlerëson vetëm miratimin e ligjeve, por edhe rezultatet e dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Sipas tyre, ecuria e negociatave do të varet nga rezultatet konkrete që Mali i Zi do të arrijë në muajt e ardhshëm, si dhe nga vlerësimi i Bashkimit Evropian për përmbushjen e këtyre kritereve.










