Foto: Boris Pejović
Sezoni veror në Mal të Zi ka shtuar kontrollet e inspektorateve, të cilat po përballen me një sërë shkeljesh, duke filluar nga mospërputhja e çmimeve në rafte dhe në arkë, e deri te punëtorët e paregjistruar, mungesa e librezave sanitare dhe faturat fiskale me kode të rreme QR.
Sipas autoriteteve, subjektet afariste janë të detyruara t’u përgjigjen ankesave të konsumatorëve dhe të zgjidhin problemet para se ato të përfundojnë te inspektorati.
Administrata Tatimore ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj bizneseve që lëshojnë fatura me kode të falsifikuara QR për të fshehur të ardhurat, duke theksuar se për shkelje të tilla mund të vendoset mbyllja e aktivitetit deri në 90 ditë, si dhe përgjegjësi kundërvajtëse ose penale.
Inspektimet kanë evidentuar edhe shkelje të legjislacionit të punës, si mungesa e vendimeve për orarin e punës dhe mosrespektimi i rregullave për punësimin e të miturve.
Ndërkohë, kontrollet në restorante, dyqane ushqimore dhe objekte hoteliere kanë nxjerrë në pah mangësi të vazhdueshme në standardet e higjienës dhe sigurisë ushqimore.
Autoritetet theksuan se, me afrimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, zbatimi i ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit, sigurinë ushqimore dhe të drejtat e punëtorëve do të jetë gjithnjë e më rigoroz.










