Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka nënshkruar dekretet për shpalljen e Ligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Punët e Brendshme dhe Ligjit për ndryshimet e Ligjit për Agjencinë për Sigurinë Kombëtare.
Sipas Kabinetit të Presidentit, ky vendim u mor për të respektuar kompromisin politik të arritur mes pushtetit dhe opozitës, për të mundësuar funksionimin e plotë të Kuvendit dhe për të ruajtur stabilitetin e procesit të integrimit evropian të Malit të Zi.
Megjithatë, Millatoviq theksoi se kompromisi politik nuk mund të zëvendësojë zgjidhjet cilësore ligjore.
Ai vlerësoi se Ligji për Punët e Brendshme ende përmban dispozita problematike që lidhen me statusin e punonjësve, të drejtën për mbrojtje dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat mund të krijojnë pasiguri juridike dhe pasoja financiare për shtetin.
Sa i përket Ligjit për ASK, Presidenti mirëpriti përmirësimet, si vendosja e mbikëqyrjes gjyqësore për qasjen në të dhëna të ndjeshme, por theksoi se nuk janë zgjidhur të gjitha dilemat kushtetuese.
Sipas tij, ende mungon kontrolli i duhur gjyqësor për disa masa të fshehta të mbikëqyrjes që ndikojnë drejtpërdrejt në privatësinë e qytetarëve.
Kabineti i Presidentit pret që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë në një afat të arsyeshëm kushtetutshmërinë e këtyre ligjeve dhe të japë qëndrimin e saj mbi çështjet e hapura.
Njëkohësisht, u bëhet thirrje institucioneve që, përmes dialogut, të eliminojnë mangësitë e mbetura dhe t’i harmonizojnë plotësisht ligjet me standardet e sundimit të ligjit dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Presidenti shpalli gjithashtu edhe ligjet e tjera të miratuara nga Kuvendi më 31 korrik 2026.









