Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Bojan Bozhoviq, deklaroi se ndryshimet kushtetuese të propozuara synojnë të përmbushin rekomandimet e kahershme të Komisionit Evropian dhe të forcojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Ai theksoi se largimi i ministrit të Drejtësisë nga përbërja e Këshillit Gjyqësor do të eliminojë ndikimin e pushtetit ekzekutiv në sistemin gjyqësor, ndërsa shumica e ndryshimeve të tjera vetëm i transferojnë në Kushtetutë zgjidhjet që tashmë ekzistojnë në ligje.
Gjatë debatit publik, ekspertë të drejtësisë propozuan ndryshime shtesë për mënyrën e funksionimit të Këshillit të Prokurorisë, me qëllim ruajtjen e balancës institucionale dhe shmangien e përqendrimit të tepërt të pushtetit.
Gjithashtu, u theksua nevoja për harmonizimin e terminologjisë juridike dhe për vazhdimin e konsultimeve me Komisionin e Venecias.
Pjesëmarrësit vlerësuan se amendamentet përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve evropiane, megjithëse disa dispozita kërkojnë përmirësime të mëtejshme.
Pritet që ndryshimet kushtetuese të miratohen në fillim të shtatorit, si pjesë e përparimit të Malit të Zi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.










