Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, njoftoi se ka nisur procedura për themelimin e një kompanie shtetërore që do të menaxhojë domenin kombëtar të internetit .me, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për rikthimin e një prej burimeve më të vlefshme digjitale nën kontrollin e shtetit.
Sipas tij, kjo do të forcojë sovranitetin digjital të Malit të Zi, do të rrisë kontrollin mbi një burim strategjik dhe do të sigurojë që përfitimet nga menaxhimi i domenit të mbeten në masë më të madhe në vend dhe të shërbejnë për zhvillimin e tij.
Gjeloshaj theksoi se synimi është që burimet strategjike të Malit të Zi të mbrohen, të menaxhohen me përgjegjësi dhe të jenë në funksion të interesit publik.
Ndërkohë, Qeveria ka miratuar informacionin për modelin e themelimit të shoqërisë aksionare me interes strategjik kombëtar, e cila do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e domenit .me.










