Vala e fundit e të nxehtit, e cila përfshiu Evropën Perëndimore javën e kaluar, tani po zhvendoset drejt lindjes, ndërsa pjesë të mëdha të Evropës Qendrore dhe Jugore pritet të përjetojnë temperatura ekstreme, afër 40 gradë Celsius, duke i vënë vendet përballë rrezikut të një krize energjetike.
Hungaria u detyrua të ndalojë funksionimin e centralit të saj të vetëm bërthamor, i cili prodhon një pjesë të madhe të energjisë elektrike të vendit, për herë të parë në 44 vjet, pasi niveli i ulët i ujit në Danub e bëri të pamundur ftohjen e sigurt të tij.
Të hënën, shumë ekrane reklamuese digjitale do të fiken për të kursyer energji, si pjesë e masave për uljen e konsumit.
Kryeministri hungarez, Péter Magyar, paralajmëroi se “pesë ditët më të vështira janë përpara”.
Ndërkohë, edhe Rumania dhe Serbia raportuan nivelet më të ulëta të ujit të regjistruara ndonjëherë, duke shkaktuar probleme në prodhimin e energjisë nga hidrocentralet.
Budapesti dhe Vjena pritet të regjistrojnë temperatura deri në 37 gradë Celsius, Zagrebi 36 gradë, Tirana 35 gradë, ndërsa Bukureshti 33 gradë. Këto temperatura pritet të zgjasin deri në pesë ditë.
Megjithatë, edhe Evropa Perëndimore do të vijojë të përballet me vapë të madhe, me 36 gradë Celsius në Romë dhe 34 gradë në Paris.
Spanja ka lëshuar paralajmërime të kuqe për temperatura ekstreme në Ishujt Kanarie, ku pritet që termometri të arrijë deri në 40 gradë Celsius.
Ndërkohë, edhe në Mbretërinë e Bashkuar temperaturat do të ngjiten mbi 34 gradë Celsius, me disa zona që do të jenë më të nxehta se Greqia, ndërsa në fund të javës parashikohen stuhi.
Në pjesë të ndryshme të vendit janë lëshuar paralajmërime shëndetësore, të cilat do të mbeten në fuqi deri të mërkurën.









