UASHINGTONI NË GJENDJE TË JASHTËZAKONSHME / ZJARRET RRETHOJNË QYTETIN, 60 MIJË TË EVAKUUAR

Rreth 60 mijë persona janë urdhëruar të evakuohen, ndërsa zjarret kërcënojnë qytetin Spokane në shtetin e Uashingtonit, thanë zyrtarët lokalë, duke shtuar se flakët kanë shkatërruar rreth 600 ndërtesa, përfshirë shtëpi dhe biznese.

Zjarri në Spokane, i cili përfshin tri vatra të ndara, po kërcënon zonat që janë nën urdhër evakuimi, tha për Reuters shefi i Zjarrfikësve të Spokane, Tom Williams.

Deri të dielën, zjarret kishin përfshirë rreth 2.180 hektarë, sipas ekipit federal për menaxhimin e incidenteve.

Williams tha se flakët ende nuk janë vënë nën kontroll. Zyrtarët njoftuan në një konferencë për media të dielën pasdite se nuk është raportuar për të lënduar apo viktima.

Kryetarja e Bashkisë së Spokane, Lisa Brown, e cilësoi situatën si “fatkeqësinë më të rëndë natyrore me të cilën është përballur ndonjëherë rajoni”. Shumë shtëpi në zonën e prekur kanë mbetur pa energji elektrike.

Ndërkohë, zyrtarët federalë kanë bërë të ditur se më shumë se 100 mijë hektarë tokë po digjen në të gjithë shtetin e Uashingtonit.

Guvernatori i shtetit, Bob Ferguson, tha se kishte biseduar me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe kishte kërkuar ndihmë nga Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA).

Ai gjithashtu ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë shtetin.

SHARE