Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara për bashkëpunim në zbatimin e projekteve strategjike do të krijojë kushte më të favorshme për tërheqjen e investitorëve seriozë dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Kështu deklaroi ministrja e Punëve Publike, Majda Axhoviq, gjatë shqyrtimit të dokumentit në Kuvend.
Ajo theksoi se partneriteti ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-së është ndërtuar ndër vite mbi besimin dhe aleancën, ndërsa kjo marrëveshje i jep atij një dimension të ri përmes projekteve konkrete që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas saj, investimet strategjike nuk nënkuptojnë vetëm ndërtimin e rrugëve apo objekteve energjetike, por edhe krijimin e mundësive të reja për bizneset vendase, forcimin e komuniteteve lokale dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.
Axhoviq theksoi se investimet serioze vijnë vetëm në vende ku ka stabilitet, siguri juridike dhe partneritet të besueshëm, duke shtuar se projektet duhet të realizohen me transparencë dhe me përfshirje aktive të ekonomisë vendase.
Mbështetje për marrëveshjen shprehën edhe deputetët e shumicës dhe opozitës.
Deputeti i Socialdemokratëve, Boris Mugosha, vlerësoi se synimi që deri në 50 për qind e furnizuesve dhe nënkontraktorëve në projektet strategjike të jenë kompani malazeze është një përfitim i rëndësishëm. Ai shtoi se investimet amerikane në Mal të Zi, që nga viti 2006, arrijnë rreth gjysmë miliard euro, por se ka hapësirë për rritje, veçanërisht në investimet prodhuese.
Deputeti i Demokratëve, Albin Qeman, tha se marrëveshja paraqet një mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e teknologjive moderne.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Boshnjake, Amer Smailoviq, vlerësoi se marrëveshja mund të kontribuojë në modernizimin e sektorit energjetik, zhvillimin e Portit të Tivarit, ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe rritjen e kapaciteteve teknologjike, duke e bërë Malin e Zi më konkurrues dhe më tërheqës për investitorët e huaj.










