Foto: Shutterstock
Të hyrat e Buxhetit të Malit të Zi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 arritën në 1,437 miliardë euro, duke tejkaluar planin me 26,5 milionë euro, ndërsa deficiti buxhetor ishte 141,9 milionë euro më i ulët se sa ishte parashikuar, njoftoi Ministria e Financave.
Sipas ministrisë, deficiti buxhetor në këtë periudhë ishte 1,3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa u realizua edhe tepricë në shpenzimet rrjedhëse, që do të thotë se të hyrat e rregullta mbuluan plotësisht detyrimet e përditshme të shtetit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të hyrat buxhetore u rritën me 114,3 milionë euro, ose 8,6%, falë rritjes së punësimit dhe pagave, disiplinës më të mirë tatimore, punës më efikase të administratës tatimore dhe aktivitetit më të lartë ekonomik.
Rritjen më të madhe e shënuan të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale, të cilat u rritën me 24,2%, ndërsa u rritën edhe të hyrat nga tatimi mbi fitimin e kompanive, TVSH-ja, akcizat dhe kontributet.
Për projektet kapitale, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit u ndanë 114,8 milionë euro, ose 5,1% më shumë se një vit më parë, kryesisht për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, komunale, shëndetësore dhe arsimore.
Nga Ministria e Financave vlerësuan se këto rezultate dëshmojnë stabilitetin e financave publike dhe krijojnë hapësirë për vazhdimin e investimeve që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.










