Foto: Kriporja e Ulqinit
Në mbledhjen e tretë të seancës së parë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, u miratua një paketë vendimesh strategjike që vendosin themelet për menaxhimin afatgjatë dhe të përgjegjshëm të pasurive natyrore të komunës së Ulqinit, duke konfirmuar përkushtimin e pushtetit lokal për mbrojtjen e mjedisit.
Kuvendi miratoi Vendimin për dhënien e pëlqimit ndaj Statutit të Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar për menaxhimin e Parkut të Natyrës “Kriporja e Ulqinit”, me ç’rast u krijuan kushtet ligjore dhe organizative për fillimin e punës së shoqërisë së përbashkët të themeluar nga Komuna e Ulqinit dhe Qeveria e Malit të Zi.
Kështu, për herë të parë krijohet një kornizë institucionale që do të mundësojë mbrojtjen efikase, avancimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të Parkut të Natyrës “Kriporja e Ulqinit”, një nga zonat natyrore më të rëndësishme në Mal të Zi.
Po ashtu, u miratua edhe Vendimi për dhënien e pëlqimit ndaj Planit të Menaxhimit të Shoqërisë për menaxhimin e Parkut të Natyrës “Kriporja e Ulqinit”, i cili përfaqëson dokumentin bazë planifikues për administrimin e kësaj zone të mbrojtur.
Plani përcakton masat për ruajtjen e biodiversitetit, mbrojtjen e vlerave tradicionale dhe peizazhore, si dhe aktivitetet që do të kontribuojnë në zhvillimin e vëzhgimit të shpendëve, eko-turizmit, kërkimeve shkencore dhe edukimit, duke respektuar plotësisht parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe Vendimi për rishikimin e shpalljes së Monumentit të Natyrës “Plazhi i Madh pranë Ulqinit”, duke forcuar më tej sistemin e mbrojtjes së një prej zonave natyrore më të vlefshme në Mal të Zi.
Rishikimi përfshin një sipërfaqe prej 709 hektarësh dhe parasheh masa të rrepta mbrojtëse, me të cilat ndalohen aktivitetet që rrezikojnë vlerat natyrore të zonës, si ndryshimi i destinimit të tokës, shfrytëzimi i rërës, depozitimi i mbeturinave, futja e llojeve alohtone dhe zhvillimi i pakontrolluar.
Siç thuhet në deklaratë, ndërsa për vite me radhë janë zhvilluar diskutime dhe janë dhënë premtime pa u krijuar një sistem funksional menaxhimi, sot janë vendosur themelet ligjore dhe institucionale që mundësojnë mbrojtjen dhe valorizimin e Kripores së Ulqinit dhe Plazhit të Madh në mënyrë të qëndrueshme, në interes të qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.
„Prioriteti ynë nuk është populizmi, por menaxhimi i përgjegjshëm i burimeve natyrore. Besojmë se dashuria për Ulqinin nuk dëshmohet me deklarata, por me vendime konkrete që mbrojnë atë që kemi më të çmuar. Pikërisht për këtë arsye vazhdojmë të ndërtojmë një sistem që do të ruajë trashëgiminë natyrore, do të avancojë turizmin e qëndrueshëm dhe do të krijojë mundësi të reja zhvillimi për qytetin tonë,“ thuhet në deklaratë.










