MILLATOVIQ: INTELIGJENCA ARTIFICIALE MUND TË KRIJOJË VENDE TË REJA PUNE ME PAGA TË MIRA

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se vendi ka potencial të zhvillojë zgjidhje të veta teknologjike dhe se inteligjenca artificiale mund të krijojë vende të reja pune me paga të mira, nëse investohet në kërkim, zhvillim dhe kuadro profesionale.

Ai bëri të ditur se ka zhvilluar një takim me ekspertë kryesorë të inteligjencës artificiale nga Mali i Zi, ku u diskutua se si njohuritë vendase dhe teknologjitë e reja mund të shndërrohen në një avantazh konkret zhvillimor për vendin.

Sipas Millatoviqit, Mali i Zi ka njerëz të talentuar, një komunitet të fortë shkencor dhe kapacitete për të krijuar zgjidhje të veta teknologjike.

Ai theksoi se këto njohuri duhet të lidhen me universitetet, institucionet dhe sektorin privat, në mënyrë që inovacionet të përmirësojnë shëndetësinë, arsimin, administratën publike dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Presidenti nënvizoi se inteligjenca artificiale mund t’u ofrojë të rinjve mundësinë të realizojnë idetë, njohuritë dhe ambiciet e tyre në Mal të Zi, duke shtuar se zhvillimi teknologjik duhet të bazohet në rregulla të qarta etike dhe të jetë në shërbim të qytetarëve.

Në fund, ai theksoi se synimi është që Mali i Zi të njihet si një vend që krijon dije, zhvillon zgjidhje inovative dhe bëhet një qendër e rëndësishme e inovacionit në Evropë.

SHARE