Foto: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit / Ministarstvo prosvjete, nauke i inovacija
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi, Angjella Jakshiq-Stojanoviq, deklaroi se vendi mbetet i përkushtuar për ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor, gjithëpërfshirës, inovativ dhe të qëndrueshëm, që përgatit të rinjtë për sfidat e kohës dhe kontribuon në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ajo i bëri këto deklarata gjatë Samitit të OKB-së “Transforming Education +4”, të mbajtur në Paris me ftesë të drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s.
Në fjalën e saj, ministrja prezantoi përparimin e Malit të Zi në reformimin e arsimit, përafrimin me standardet evropiane, si dhe forcimin e kapaciteteve në shkencë dhe inovacion, me fokus të veçantë te Objektivi 4 i Agjendës 2030, që lidhet me arsimin cilësor.
Në kuadër të samitit, Jakshiq-Stojanoviq zhvilloi edhe një takim dypalësh me ndihmësdrejtorin e përgjithshëm të UNESCO-s për Arsimin, profesor Qun Chen.
Gjatë takimit u diskutuan përvojat dhe praktikat më të mira në fushën e arsimit, si dhe aktivitetet që Mali i Zi po zbaton në arsim, shkencë dhe inovacion në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Ministrisë së Arsimit, përfaqësuesit e UNESCO-s vlerësuan përpjekjet dhe rolin proaktiv të Malit të Zi në zbatimin e reformave arsimore dhe shprehën mbështetje të plotë për iniciativat e mëtejshme të ministrisë.










