IBRAHIMOVIQ DHE PANIKLOVA NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJE PËR MODERNIZIMIN E SISTEMIT TË VIZAVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, dhe përfaqësuesja e përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Mal të Zi, Ekaterina Paniklova, nënshkruan një marrëveshje financimi për modernizimin e Sistemit Informativ të Vizave dhe vendosjen e sistemit elektronik të lëshimit të vizave (e-Visa).

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm në transformimin digjital të institucionit dhe do të mundësojë krijimin e një sistemi të ri të vizave, duke rritur efikasitetin e rrjetit diplomatik-konsullor, sigurinë e të dhënave dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare.

Me vendosjen e sistemit e-Visa, shtetasit e huaj do të mund të aplikojnë për vizë në mënyrë elektronike, të dorëzojnë dokumentet, të paguajnë tarifat administrative dhe të marrin vizën pa qenë e nevojshme të paraqiten në përfaqësitë diplomatike, përveç rasteve të parashikuara nga procedurat.

Autoritetet vlerësojnë se sistemi i ri do ta bëjë Malin e Zi më të qasshëm për qytetarët e vendeve ku nuk ka përfaqësi diplomatike malazeze, do të lehtësojë ardhjen e turistëve, biznesmenëve dhe investitorëve, si dhe do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve konsullore dhe lidhjet ndërkombëtare të vendit.

Sipas ministrisë, marrëveshja konfirmon bashkëpunimin e suksesshëm mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në zbatimin e reformave për një administratë publike më moderne, më efikase dhe në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

SHARE