SHARANOVIQ: KEMI BËRË KTHESË RRËNJËSORE NË POLITIKËN E SHTETËSISË

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danillo Sharanoviq, deklaroi në Kuvend se ministria ka bërë një kthesë rrënjësore në politikën e shtetësisë, duke vlerësuar se për dekada në këtë fushë ka pasur keqpërdorime që kanë ndikuar edhe në regjistrin e votuesve.

Ai tha se pesë projektligjet e shqyrtuara në Kuvend përmbajnë vetëm harmonizime teknike dhe terminologjike, të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Evropian.

Sipas Sharanoviqit, më parë kishte persona që jetonin prej vitesh në Mal të Zi pa mundur të merrnin shtetësinë, ndërsa në regjistrin e shtetasve figuronin edhe persona që prej dekadash nuk jetonin në vend.

Ai theksoi se gjatë mandatit të tij shumë banorë që plotësonin kushtet kanë marrë shtetësinë malazeze.

Gjatë debatit, kryetari i Partisë Demokratike Popullore, Millan Knezheviq, kritikoi ndryshimet ligjore, duke pretenduar se ato bëhen për harmonizim me Ligjin për partneritetin jetësor të personave të së njëjtës gjini dhe kërkoi zgjidhje për çështjen e shtetësisë së dyfishtë, veçanërisht për serbët nga Mali i Zi.

Sharanoviq iu përgjigj se ndryshimet nuk u japin privilegje personave në partneritete të së njëjtës gjini, por vetëm harmonizojnë terminologjinë me ligjin ekzistues.

Ai shtoi se legjislacioni aktual tashmë lejon shtetësi të dyfishtë në raste të caktuara, si për emigrantët malazezë dhe personat e martuar me shtetas të Malit të Zi.

Seanca u ndërpre për pak kohë pas një përplasjeje verbale mes Sharanoviqit dhe Knezheviqit.

SHARE