NIS SHPËRNDARJA E PAJISJEVE KOMPJUTERIKE NË SHKOLLAT E MALIT TË ZI

Foto: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit / MPNI

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka nisur shpërndarjen dhe instalimin e pajisjeve moderne kompjuterike në institucionet arsimore në mbarë Malin e Zi, në kuadër të një projekti me vlerë 2.399 milionë euro.

Nga kjo shumë, 1.980 milionë euro janë siguruar si grant nga Banka Evropiane e Investimeve, ndërsa pjesa tjetër financohet nga buxheti i shtetit.

Ministrja e Arsimit, Angjela Jakshiq-Stojanoviq, tha se investimi, së bashku me projektet e mëparshme, do të përmirësojë kushtet për zhvillimin e mësimit dhe do të sigurojë qasje të barabartë në burimet digjitale për të gjithë nxënësit në Mal të Zi.

“Sjellja dhe instalimi i pajisjeve moderne kompjuterike në klasa, dhoma të mësimdhënësve dhe biblioteka përfaqëson një tjetër hap drejt modernizimit të sistemit tonë arsimor, përmirësimit të procesit mësimor dhe zhvillimit të kompetencave digjitale të nxënësve dhe mësimdhënësve. Me këtë investim prej rreth 2.4 milionë eurosh, së bashku me investimin e mëparshëm prej rreth 7 milionë eurosh, sigurojmë që çdo fëmijë në Mal të Zi të ketë qasje të barabartë në burimet digjitale”, theksoi ministrja.

Ajo shtoi se fakti që pjesa më e madhe e projektit financohet përmes grantit të Bankës Evropiane e Investimeve dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për reformimin dhe përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor në Mal të Zi.

Pajisjet që po shpërndahen përfshijnë kompjuterë, ekrane televizive, printerë dhe pajisje shoqëruese, të destinuara për klasa, kabinete, dhoma të mësimdhënësve dhe biblioteka, ndërsa projekti do të përfshijë të gjitha institucionet arsimore në vend.

Nga Ministria theksojnë se, së bashku me furnizimin e realizuar gjatë vitit 2024, me vlerë mbi 7 milionë euro, ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm kushtet në të gjitha institucionet arsimore dhe do të sigurojë qasje të barabartë në burimet digjitale në të gjithë territorin e Malit të Zi.

SHARE