Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, do t’u përgjigjet nesër pyetjeve të deputetëve në seancën e posaçme të Kuvendit, në kuadër të Orës së Kryeministrit.
Deputetët e pozitës dhe opozitës do të kërkojnë sqarime për një sërë çështjesh të rëndësishme, ndër to rikonstruktimin e fundit të Qeverisë dhe ndikimin e saj në efikasitetin e institucioneve, ekonominë dhe standardin e qytetarëve, funksionimin e kompanive ajrore Montenegro Airlines dhe Air Montenegro, gjendjen e ekonomisë dhe deficitin tregtar, si dhe procesin e dhënies me koncesion të aeroporteve malazeze.
Në diskutim do të jenë edhe çështje që lidhen me ndryshimet kushtetuese, administratën shtetërore, emërimet në institucione publike, funksionimin e Ndërmarrjes për Menaxhimin e Bregdetit „Të Mirat Detare“, integrimin evropian, ballafaqimin me të kaluarën dhe tema të tjera me rëndësi për qytetarët dhe zhvillimin e vendit.










