GORÇEVIQ: KROACIA NUK PO BLLOKON MBYLLJEN E KAPITULLIT 14

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka mohuar se Kroacia po pengon mbylljen e kapitullit 14 në negociatat me Bashkimin Evropian.

Ajo tha se ky kapitull është përgatitur dhe i është dërguar Komisionit Evropian, ndërsa pritet të mbyllet në shtator gjatë konferencës së ardhshme ndërqeveritare.

Gorçeviq sqaroi se një kapitull është lënë përkohësisht mënjanë për shkak të çështjeve të hapura me Kroacinë, të cilat qeveria aktuale i ka trashëguar, por theksoi se po punohet për zgjidhjen e tyre përmes kanaleve diplomatike.

Sipas saj, nuk ka asnjë bllokadë për kapitullin 14 dhe vonesa lidhet vetëm me procedurat brenda institucioneve evropiane dhe shteteve anëtare.

Ajo bëri të ditur se Mali i Zi deri tani ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt negociues dhe shprehu bindjen se vendi do të përmbushë të gjitha detyrimet deri në fund të vitit.

Kryenegociatori Predrag Zenoviq gjithashtu vlerësoi se Mali i Zi mund të mbyllë të gjithë kapitujt negociues brenda këtij viti.

SHARE