NË BRUKSEL, PËR TË ZHVENDOSURIT DHE BASHKËPUNIMIN RAJONAL

Të enjten në Bruksel është zhvilluar takimi i dytë brenda një jave, në nivel ekspertësh, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për këtë proces, Mirosllav Lajcak.

Kosova në këtë dialog përfaqësohet nga Skender Hyseni, derisa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Koordinatori i Kosovës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni, ka thënë se me palën serbe është duke u negociuar një marrëveshje e përgjithshme.

“Po negociojmë elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme, e cila në fund do të jetë marrëveshje ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe që patjetër duhet të rezultojë me normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë- Serbi që nënkupton pashmangshëm njohje reciproke, njohje të ndërsjellë”, ka deklaruar Hyseni pas takimit.

Ndërkaq, Gjuriq ka thënë se sot u zhvilluan bisedimet “shumë të vështira” u për kthimin e personave të zhvendosur dhe pozitën e tyre. Sipas tij, “212 mijë serbë dhe joshqiptarë” kanë ende një status të pazgjidhur, nga të cilët 196 mijë janë të dislokuar ende në Serbi, 76 për qind e serbëve.

“Sot, ne kemi pasur një përgjegjësi të madhe që në bisedime me Prishtinën të përpiqemi t’i afrojmë qëndrimet tona dhe të krijojmë parakushte institucionale dhe politike që kthimi të bëhet përfundimisht”, ka thënë Gjuriq.

Gjuriqi gjithashtu tha se tema e dytë e bisedimeve ishte bashkëpunimi ekonomik:

“Pozita jonë lidhur me këtë çështje është shumë e qartë – ne mendojmë se duhet të liberalizojmë lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve dhe se është e nevojshme të definohen projektet kyç infrastrukturore të cilat duhet te realizohen për t’i përshpejtuar këto lëvizje, siç janë autostrada, hekurudhat“.

Gjuriq tha se ai gjithashtu i tha Hysenit në fytyrë se ishte “lodhur duke dëgjuar gënjeshtra për negociatat për pavarësinë e Kosovës dhe një marrëveshje që do të rezultojë në atë që ju ëndërroni”.

“Nuk do të rezultojë me këtë. Por mund të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve, tregtisë mes njerëzve, shkollimin normal, qarkullimin e trafikut, rritjen ekonomike nga të dy palët. Nëse jeni gati për diçka të tillë, Serbia është gjithmonë e gatshme për diçka të tillë. Por mos i prishni bisedimet duke paraqitur të pavërteta në lidhje me ato që diskutohen”, ëshët shprehur ai.

Megjithatë, bazuar në të dhënat që disponon Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë – UNHCR, nga viti 2016 jashtë Kosovës llogaritet se janë rreth 107 mijë të zhvendosur. Prej tyre, 88 mijë janë në Serbi, më shumë se 1.400 në Mal të Zi dhe rreth 617 persona në Maqedoni të Veriut.

Zyrtarë të BE-së konfirmuan gjatë ditës se në agjendë të bisedimeve sot janë personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.

Bashkimi Evropian të enjten ka thënë se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të arrihet pasi të gjitha palët të pajtohen për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të bien dakord që normalizimi mund të vazhdojë në formën e marrëveshjes së nënshkruar.

Komentet u bënë nga zëdhënësi kryesor i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Peter Stano, të enjten në Bruksel.

Stano konfirmoi më herët se në agjendë të bisedimeve sot janë personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, te enjten ka deklaruar se është befasuar me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se në Bruksel ka nisur të shkruhet marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiq tha se askush në Bruksel nuk i mohoi ato pretendime, por vetëm shkrimet e “disa prej gazetave tona që transmetuan deklaratën e Hotit”.

“Ne nuk dimë asgjë për të. E vetmja gjë që dimë është se ne duam të negociojmë për këto tema që janë vënë në tryezë, por do të kërkojmë që të diskutohet edhe për mosrespektimin dhe të shohim se kur do të përmbushet ajo që është nënshkruar në prill të vitit 2013 [v.j. Marrëveshja e Brukselit], e ajo është bashkësia e komunave serbe”, tha Vuçiq në një konferencë për media në Beograd.

Vuçiq tha se “nuk duket logjike” që Hoti “të ketë shpikur gjithçka”.

“Kjo është arsyeja përse unë dua që të diskutohet dhe që Bashkimi Evropian t’i kuptojë nevojat dhe kërkesat e Serbisë dhe jo vetëm nevojat dhe kërkesat e vendeve anëtare. Shpresoj të ndodhë kështu. Kam besim të plotë në ekipin negociator të BE-së dhe në ekipin tonë negociator. Nuk është kompromis që Serbisë t’i merret gjithçka dhe shqiptarëve t’iu jepet gjithçka”, tha Vuçiq.

Më 23 korrik, kur është mbajtur takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh – i pari pas rifillimit të dialogut në nivel të lartë, më 16 korrik – kryeministri i Kosovës, Hoti, ka thënë se në Bruksel “ka nisur draftimi i marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivelin më të lartë, ka rinisur më 16 korrik, me një takim midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga zyrtarët e lartë të BE-së.

Takimet në nivel ekspertësh nuk janë mirëpritur në Prishtinë, ku partitë opozitare, por edhe partnerët e koalicionit dhe presidenca kanë thënë se ato e zvarrisin arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Hoti, megjithatë, ka insistuar se me takimet e tilla ka nisur edhe draftimi i marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë.

SHARE