Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi po zhvillon seancën për propozimin e kryeministrit Millojko Spajiq për ndryshimin e përbërjes së Qeverisë së 44-të. Në fillim të seancës, opozita kërkoi shtyrjen e saj, pasi kryeministri nuk ishte i pranishëm në sallë për të prezantuar propozimin.
Deputetët opozitarë kritikuan mungesën e Spajiqit, duke e cilësuar si mungesë respekti ndaj Kuvendit.
Ata thanë se propozimi për riorganizimin e Qeverisë nuk përmban arsyetime të mjaftueshme për kandidatët e rinj dhe se duhet të shpjegohej nga vetë kryeministri.
Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, sqaroi se Spajiq ndodhet në një vizitë zyrtare në Çeki dhe se në seancë po e përfaqëson ministri Millutin Butoroviq.
Ai tha se kjo ishte njoftuar më herët në kolegjiumin e Kuvendit.
Përfaqësuesi i Qeverisë, Butoroviq, deklaroi se procedura për ndryshimin e përbërjes së kabinetit është në përputhje me rregulloren dhe se nuk ka asgjë të fshehtë.
Ai shprehu pritjen që propozimi të marrë mbështetje edhe nga opozita.
Debati u shoqërua me akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës.
Deputetët e PDS-së e kritikuan riorganizimin, duke e cilësuar si rezultat të marrëveshjeve politike dhe ndarjes së posteve, ndërsa përfaqësuesit e shumicës thanë se Qeveria ka arritur rezultate në rritjen e pagave, pensioneve dhe në procesin e integrimit evropian.
Sipas shumicës parlamentare, ndryshimet synojnë forcimin e sektorëve të shëndetësisë, sportit dhe transportit, ndërsa opozita pretendon se bëhet fjalë për zgjerim të Qeverisë dhe kënaqje të interesave të partive në pushtet.
Në kuadër të riorganizimit janë propozuar:
- Jellena Boroviniq Bojoviq për zëvendëskryeministre për shëndetësi dhe kujdes social;
- Radosh Zeçeviq për ministër të Transportit;
- Zoran Jojiq për ministër të Sportit dhe Rinisë;
- Jovan Jole Vuçuroviq për ministër pa portofol.
Seanca vazhdon me debat për propozimet e reja dhe përbërjen e ardhshme të Qeverisë së Malit të Zi.










