Foto: KE
Komisioni Evropian ka vlerësuar se ekonomia e Malit të Zi ka vazhduar të shënojë rezultate pozitive gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke regjistruar një rritje ekonomike prej 2,6 për qind.
Kjo bëhet e ditur në raportin më të fundit tremujor të Komisionit Evropian për ekonomitë e vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas Ministrisë së Financave, raporti konfirmon përshpejtimin e aktivitetit ekonomik, ku kontributin më të madh e kanë dhënë konsumi privat dhe investimet. Veçanërisht theksohet rritja e investimeve bruto në mjete bazë, të cilat janë rritur me 20,9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga Ministria vlerësojnë se kjo është një shenjë e fortë e besimit të investitorëve dhe dëshmi se në vend po krijohen kushte për zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm ekonomik.
Raporti i Komisionit Evropian evidenton gjithashtu rritje të prodhimit industrial, zgjerim të aktivitetit tregtar, një sektor bankar të qëndrueshëm dhe likuid, si dhe rritje të kreditimit.
Po ashtu, janë shënuar rezultate pozitive edhe në financat publike.
Të ardhurat e buxhetit gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë rritur me 8,2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa kanë tejkaluar planifikimin me 2,1 për qind, çka sipas Ministrisë së Financave tregon menaxhim të përgjegjshëm të financave publike dhe forcim të disiplinës fiskale.
Një tjetër tregues pozitiv është ulja e borxhit publik në 59 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), gjë që konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale të vendit.
Ministria e Financave njoftoi se do të vazhdojë zbatimin e politikave të përgjegjshme ekonomike dhe reformave që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Në fund, Ministria thekson se rekomandimet e Komisionit Evropian mbeten një udhërrëfyes i rëndësishëm për përmirësimin e mëtejshëm të politikave ekonomike dhe afrimin e Malit të Zi me standardet e Bashkimit Evropian.










