ÇEKIA MBËSHTET ANËTARËSIMIN E SHPEJTË TË MALIT TË ZI NË BE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, gjatë vizitës në Çeki ka vlerësuar mbështetjen e fuqishme të këtij vendi për rrugën evropiane të Podgoricës, duke theksuar se Çekia është një partner i rëndësishëm strategjik.

Spajiq zhvilloi takime me përfaqësues të Parlamentit çek, të udhëhequr nga kryetarët e komisioneve për çështjet evropiane, Petr Sokol dhe Jan Shiler.

Ata shprehën mbështetje të qartë politike për përfundimin sa më të shpejtë të procesit të integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Sokol theksoi se në skenën politike çeke ekziston një mbështetje e gjerë për anëtarësimin e Malit të Zi në BE, duke vlerësuar përparimin e vendit në reformat evropiane.

Ai tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe se ato janë forcuar edhe nga numri i madh i qytetarëve çekë që zgjedhin Malin e Zi si destinacion turistik.

Kryeministri Spajiq falënderoi Çekinë për përkrahjen në rrugën drejt BE-së dhe nënvizoi bashkëpunimin e fortë në kuadër të NATO-s.

Ai tha se Podgorica synon të përfundojë procesin e integrimit dhe të jetë pjesë e familjes evropiane.

Edhe deputeti i partisë ANO-s, Denis Doksanski, deklaroi se integrimi i Malit të Zi është prioritet për Çekinë dhe se vendi duhet të bëhet pjesë e BE-së sa më shpejt.

Ai vlerësoi përparimin e Malit të Zi në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa si sfidë përmendi rrugët e mundshme të migrimit ilegal.

Spajiq theksoi se Qeveria e Malit të Zi po përgatitet me përgjegjësi për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të ardhshëm të BE-së, duke shtuar se forcimi i sektorit të sigurisë mbetet një prioritet.

Në takime u diskutuan edhe sfidat që e presin Malin e Zi deri në përfundimin e negociatave me BE-në, përfshirë ndikimet e huaja dhe çështjet e sigurisë.

Sipas Qeverisë, mbështetja e fuqishme politike nga vendet e BE-së është një garanci e rëndësishme për përmbylljen me sukses të procesit të integrimit.

SHARE