Foto: Ilustrim
Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka bërë të ditur se zgjidhja e çështjeve të hapura me Malin e Zi është e domosdoshme për përmbylljen e negociatave të Podgoricës me Bashkimin Evropian.
Nga Zagrebi kanë theksuar se kanë mbetur vetëm disa muaj deri në fund të vitit 2026 dhe kanë bërë thirrje palës malazeze për dialog konstruktiv dhe për përshpejtimin e punës për çështjet e pazgjidhura.
“Pritshmëritë tona janë të qarta: zgjidhja e çështjes së dëmshpërblimit për ish-të burgosurit e kampeve, vazhdimi i kërkimit të 14 personave të zhdukur nga Lufta e Atdheut, ndjekja penale e krimeve të luftës, zgjidhja e çështjeve pronësore-juridike të familjeve kroate në Mal të Zi që kanë mbetur pa pasuri, ruajtja e pllakës përkujtimore në ish-kampin e Morinjit, ndryshimi i emrit të pishinës në Kotorr, vazhdimi i bisedimeve për kufirin detar, si dhe kthimi i anijes shkollore “Jadran”, thuhet në njoftimin e Ministrisë kroate të Punëve të Jashtme.
Kroacia ka theksuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga kriteret kryesore politike në procesin e zgjerimit të BE-së dhe janë pjesë e Kornizës Negociuese për Malin e Zi dhe vendet e tjera kandidate.
“BE-ja është shumë e qartë në mesazhet e saj se nuk mund dhe nuk dëshiron të importojë mosmarrëveshje dypalëshe. Për këtë arsye, çështjet e hapura duhet të zgjidhen urgjentisht, në mënyrë që të mos rëndojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin e anëtarësimit”, kanë deklaruar nga Ministria e Jashtme e Kroacisë.
Zagrebi kujton se në fund të vitit 2024 i ka bërë thirrje Malit të Zi për dialog, me qëllim zgjidhjen e çështjeve të hapura që, sipas tyre, nuk duhet të pengojnë fazën përfundimtare të procesit të integrimit evropian.
“Kroacia gjatë gjithë procesit ka treguar durim strategjik dhe mirëkuptim, por tani është koha për hapa vendimtarë nga Qeveria e Malit të Zi. Kanë mbetur vetëm disa muaj deri në fund të vitit 2026 dhe për këtë arsye i bëjmë sërish thirrje palës malazeze për dialog konstruktiv dhe përshpejtim të punës për çështjet e hapura”, thuhet në njoftim.









