ZJARRET MASIVE PËRFSHIJNË SPANJËN DHE FRANCËN, MIJËRA PERSONA EVAKUOHEN

Spanja dhe Franca po përballen me zjarre të mëdha pyjore, të nxitura nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta.

Në provincën e Guadalajarës, në veri të Madridit, mbi 600 zjarrfikës, ushtarë dhe 29 mjete ajrore po luftojnë prej gjashtë ditësh me zjarrin më të madh të këtij viti në Spanjë.

Flakët kanë përfshirë rreth 30 mijë hektarë pyje dhe kullota, ndërsa rreth 1.200 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet thonë se terreni i vështirë, bimësia e tharë dhe vala e re e të nxehtit, me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius, po e komplikojnë përpjekjen për kontrollin e zjarrit.

Ndërkohë, në jug të Francës, në rajonin Var, një zjarr i fuqishëm ka djegur mijëra hektarë tokë dhe ka detyruar evakuimin e qindra personave.

Qindra zjarrfikës dhe mjete ajrore janë angazhuar për frenimin e përhapjes së flakëve, ndërsa mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike.

Franca ka regjistruar që nga fillimi i vitit 2026 rreth 40 mijë hektarë të djegur, si pasojë e zjarreve të favorizuara nga nxehtësia ekstreme dhe thatësira e zgjatur.

SHARE