Foto: Shutterstock
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave ka arritur marrëveshje me prodhuesit e shalqirit për të ndihmuar në shitjen e tepricave të prodhimit deri në fund të muajit.
Sipas planit, rreth 400 tonë shalqi të mbetur do të plasohen në treg me ndihmën e zinxhirëve tregtarë, të cilët do të organizojnë shitje promocionale të shalqirit vendas, ndërsa eksportuesit do të përfitojnë subvencione për të rritur eksportin.
Ministri Vlladimir Jokoviq bëri të ditur se mbështetja do të vlejë për të gjithë prodhuesit e shalqirit në Mal të Zi.
Ai theksoi se deri më tani në vend janë importuar 123 tonë shalqi, ndërsa eksporti ka arritur në 976 tonë.
Sipas marrëveshjes, shalqinjtë që kanë mbetur të pashitur dhe janë dëmtuar në ara do të vlerësohen në përputhje me Ligjin për Dëmet.
Nga ana tjetër, prodhuesit e vlerësuan ndihmën si shumë të rëndësishme për mbulimin e shpenzimeve të muajve të fundit dhe për planifikimin më të mirë të prodhimit në sezonet e ardhshme, me qëllim shmangien e mbingarkesës së tregut.
Në fund, fermerët dhe përfaqësuesit e Ministrisë u bënë thirrje qytetarëve që të mbështesin prodhimin vendas duke blerë shalqi të prodhuar në Mal të Zi.










