Foto: MediaBiro
Unioni i Sindikatave të Lira të Malit të Zi ka nisur protesta të përditshme njëorëshe, të cilat do të zgjasin 15 ditë dhe do të mbahen simbolikisht në orën 11:55.
Sindikata kërkon që Qeveria të rifillojë negociatat për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive dhe të miratojë rritjen e pagave për punonjësit në sektorin publik dhe privat.
Sekretari i përgjithshëm i Unionit, Srgja Kekoviq, tha se Qeveria prej tetë muajsh nuk i është përgjigjur propozimit të sindikatës, ndonëse kishte premtuar një model më të mirë.
Ai akuzoi ekzekutivin se mbi 100 mijë të punësuar aktualisht janë pa Marrëveshje të Përgjithshme Kolektive dhe paralajmëroi se, nëse nuk ka përparim në negociata, në shtator do të organizohen protesta të reja.
Kekoviq shprehu gjithashtu dyshimin se Qeveria do ta shtyjë rritjen e pagave deri në prag të zgjedhjeve të ardhshme politike.










