Foto: Enti për Punësim / Zavod za zapošljavanje
Shkalla e papunësisë së regjistruar në Mal të Zi në muajin maj ra në 7,84 për qind, niveli më i ulët që nga fillimi i mbajtjes së statistikave nga Enti i Punësimit.
Në fund të majit, në evidencë ishin 24.751 persona të papunë.
Qeveria vlerësoi se ky është një rezultat historik, pasi krahasuar me fundin e vitit 2023 numri i të papunëve është ulur me mbi 15 mijë persona, ndërsa në raport me majin e vitit 2024 me 10.664 persona.
Megjithëse papunësia mbetet më e lartë në veri të vendit, Qeveria theksoi se do të vazhdojë programet për krijimin e vendeve të reja të punës, trajnimin profesional, vetëpunësimin dhe mbështetjen për të rinjtë, gratë dhe kategoritë e tjera të ndjeshme, me synim rritjen e punësimit në të gjithë vendin.










