Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, njoftoi se Komisioni Evropian do të prezantojë në vjeshtë një strategji të re për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Paketa do të përfshijë masa për përgatitjen e BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj, si dhe mekanizma që u mundësojnë vendeve kandidate të integrohen gradualisht dhe të përfitojnë nga disa të drejta të anëtarësimit edhe para hyrjes së plotë në Union.
Kos theksoi se procesi i zgjerimit po zhvillohet me ritmin më të shpejtë në 15 vitet e fundit dhe se tashmë ai përfaqëson një projekt strategjik për sigurinë dhe të ardhmen e Evropës.
Ajo bëri të ditur se katër grupkapitujt e mbetur për Moldavinë dhe Ukrainën janë gati për t’u hapur sapo shtetet anëtare të arrijnë konsensus.
Duke folur për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kos vlerësoi Malin e Zi si vendin kandidat më të avancuar, duke bërë të ditur se ka nisur hartimi i traktatit të anëtarësimit dhe se negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit.
Ajo përshëndeti edhe progresin e Shqipërisë në mbylljen e kapitujve të negociatave, ndërsa për Maqedoninë e Veriut theksoi se vazhdimi i negociatave varet nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese.
Sa i përket Serbisë, ajo tha se kushtet teknike për hapjen e grupkapitullit 3 janë përmbushur, por ende mungon konsensusi i të gjitha shteteve anëtare.
Komisionerja nënvizoi se zgjerimi do të sjellë përfitime si për vendet kandidate ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian, duke forcuar sigurinë, ekonominë dhe stabilitetin në kontinent.
Ajo shtoi se Komisioni Evropian po shqyrton edhe mundësinë që vendet kandidate të kenë qasje në tregun e përbashkët evropian para anëtarësimit të plotë, me synim përshpejtimin e integrimit ekonomik dhe lehtësimin e procesit të zgjerimit.









